Kryeministri Zaev dhe ministrja Shahpaska hapën kopsht të ri në Resnjë: Kopshti “Jabollçe” është shembull për konceptin “Një shoqëri për të gjithë”

Kryeministri Zoran Zaev dhe Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, së bashku me Kryetarin e Komunës së Resnjës, Zhivko Gosharevski, hapën sot kopshtin e ri “Jabollçe”.

Siç theksoi kryeministri Zaev, Qeveria vazhdon të rrisë kapacitetin e kopshteve në të gjithë vendin dhe të investojë në zhvillimin e fëmijëve që në moshë të hershme.

“Është lart në agjendën e Qeverisë sigurimi i kushteve për zhvillimin e duhur të fëmijëve. Kjo mund të arrihet duke zgjeruar kapacitetet e kopshteve, duke hapur kopshte të reja në të gjithë vendin, por edhe duke zgjeruar kompetencat e kuadrit, i cili ka një detyrë të përgjegjshme në procesin e ndërtimit të personalitetit të brezave tanë të ardhshëm. Për këtë qëllim, në periudhën prej vitit 2017 deri 2020, ne hapëm dhe zgjeruam kapacitete të 63 objekteve në të gjithë vendin. Në këtë mënyrë është siguruar përkujdesje për 3,386 fëmijë. Vetëm në tre muajt e fundit, pesë kopshte të reja janë hapur, edhe atë në Gostivar, Saraj, Ilinden, Llozovo, Bërvenicë, dhe ja sot edhe në Resnjë, gjë që ka rritur mbulimin me 415 vende. Deri në fund të vitit do të hapen kopshtet në Kumanovë, Bogovinë, Bosillovo dhe në fsh. Përdejci – Gjevgjeli, me çka do të rritet kapaciteti për 189 fëmijë të tjerë”, tha kryeministri Zaev.

 

Ministrja Shahpaska iu referua përpjekjeve të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për ndërtimin e kopshteve që ndjekin të gjitha standardet për zhvillimin e duhur të fëmijëve.

 

“Sot ne po hapim kopshtin e gjashtë të ri që nga fillimi i mandatit të kësaj Qeverie. Objekti i ri “Jabollçe” pranë Institucionit Publik për Kujdesin e Fëmijëve “11 Shtatori”, do të kujdeset për 102 fëmijë, të organizuar në 5 grupe. Ky kopsht është shembull për konceptin “Një shoqëri për të gjithë”, sepse këtu fëmijët nga komunitetet etnike maqedonase, shqiptare dhe turke do të kujdesen së bashku. Në një kohë veçanërisht të shkurtër, në vetëm 10 muaj, nga një ndërtesë e shkatërruar dhe e lënë pas dore e një ish-shkolle, ne arritëm, përmes një rindërtimi dhe adaptimi të plotë,  ta shndërrojmë në një ndërtesë të bukur, e cila plotëson standardet për efikasitet energjetik dhe ka sistem të ngrohjes ekologjike. Për tërë projektin, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka investuar rreth 29 milionë denarë, në pjesën e ndërtimit dhe pajisjen e kopshtit. Gjatë vetë dizajnimit të objektit, vëmendje e veçantë i kushtohet aksesit në objekt, që është siguruar përmes patеkave të këmbësorëve dhe rampave për të kapërcyer pengesat në lartësi dhe hyrjen e papenguar të personave me aftësi të kufizuara”, përfundoi ministrja Shahpaska.

Kryetari i komunës së Resnjës, foli mbi rëndësinë e këtij objekti për qytetin.

“Ky objekt është një projekt kapital, i cili ka rëndësi të madhe për komunën tonë të vogël dhe jemi vërtet krenarë për të. Qeveria dhe ne si pushtet lokal kujdesemi për më të vegjlit tanë, sigurojmë kushte cilësore për zhvillimin e fëmijërisë së hershme, dhe kështu krijojmë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët dhe u mundësojmë atyre që të përdorin plotësisht potencialin e tyre. Ne kemi ndërtuar një kopsht fëmijësh sipas standardeve evropiane dhe botërore, ashtu siç fëmijët tanë duhet të rriten, të zhvillohen dhe të mësojnë”, theksoi Gosharevski.

“Kujdesi për çdo fëmijë është prioritet kryesor i Qeverisë. Çdo fëmijë meriton bazë dhe kushte të barabarta për zhvillim, dhe për këtë arsye vazhdon të investojë në kapacitete të reja për kujdesin e fëmijëve në edukimin dhe arsimin parashkollor, si dhe në staf profesional dhe të përgjegjshëm që do të sigurojë edukim parashkollor cilësor dhe zhvillim të duhur të fëmijëve”, u tha në këtë ceremoni. me rastin e hapjes së kopshtit të ri “Jabollçe" në Resnjë.​

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.