31.03.2021

Ministrja Shahpaska iu drejtua Forumit në Meksikë: Gruaja ka të drejtën e lirisë riprodhuese, vetë të vendosë për trupin e saj

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, kishte fjalim në “Generation Equality Forum” që u zhvillua online këtë vit me seli në Meksiko Siti nga 29-31 mars, organizuar nga UN Women dhe qeveritë e Francës dhe Meksikës.

 

“Shëndeti i gruas, të drejtat, mundësitë dhe qasja në kujdesin shëndetësor të grave janë në fokusin e të drejtave seksuale dhe riprodhuese.

Me ndryshimet e fundit në Ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë, gruaja ka të drejtën e lirisë riprodhuese, vetë të vendosë për trupin e saj, nëse, kur dhe sa fëmijë do të lindë”, theksoi ministrja Shahpaska në fjalimin e saj.

Ajo theksoi se koncepti i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut “Një shoqëri për të gjithë” nënkupton që gratë dhe burrat duhet të kenë të drejta të barabarta për zhvillimin njerëzor, shoqëror, ekonomik dhe kulturor. Ky, shtoi ajo, është një koncept që është zbatuar vazhdimisht në periudhën e kaluar dhe na bën liderë në rajon.

“Sistemi shëndetësor është i detyruar të përgjigjet në mënyrë të duhur dhe cilësore në përputhje me standardet më moderne të mjekësisë së bazuar në prova. Prandaj, me futjen e abortit medikamentoz, ne jemi në hap me praktikat dhe protokollet evropiane”, nënvizoi Shahpaska.

Ajo foli për programet e parandalimit që mundësojnë zbulimin e hershëm të ndryshimeve në organet riprodhuese tek gratë, diagnostikimin e hershëm dhe përqindjen e lartë të trajtimit të suksesshëm. Gjithashtu gjeneron kursime të mjeteve financiare, sepse gratë kthehen në tregun e punës pas trajtimit të suksesshëm.

“Aplikohen edhe terapi të reja për kancerin e gjirit dhe çdo grua ka qasje në kohë në to. Jepen gjithashtu veshje të brendshme ortopedike falas për gratë e operuara. Është vendosur edhe teknologjia më e përparuar për skriningun e kancerit të gjirit në fazë të hershme, me diagnostikim të saktë dhe preciz, që është thelbësore për trajtimin e mëtejshëm të pacienteve”, theksoi ministrja.

Lidhur me arsimin, ministrja informoi se është përgatitur Plan Veprimi tre-vjeçar për pilotimin e edukimit gjithëpërfshirës seksual. Po ashtu, janë zhvilluar modele edukative për zbatimin e tij, si dhe është përgatitur një program mësimor për nxënës nga mosha 13 deri në 15 vjeç dhe manual për mësuesit për zbatimin e këtij projekti pilot.

“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është duke punuar në përgatitjen e Strategjisë së re për Barazinë Gjinore 2021-2026. Versioni i punës i Ligjit të ri mbi barazinë gjinore është gati, pas së cilës do të hapim një debat të gjerë në shoqëri, me qëllimin e vetëm të vendosjes së një sistemi efektiv të barazisë gjinore”, shtoi Shahpaska.

Ajo theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdon të punojë në avancimin e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese të grave, si parakusht për një shoqëri të bazuar në parimet demokratike.

Republika e Maqedonisë së Veriut që nga nëntori i vitit 2020 është partnere në Koalicionin e Veprimit për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues dhe përfaqësuesit e saj nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë morën pjesë aktive në përgatitjen e vizionit, veprimeve dhe taktikave të këtij Koalicioni.

Forumi i Meksikës është një pikë kthese kryesore, globale për barazinë gjinore. Është një përpjekje e rëndësishme për të bashkuar qeveritë, korporatat dhe krijuesit e ndryshimeve në të gjithë botën për të përcaktuar dhe shpallur investimet dhe politikat e tyre ambicioze. Ky forum është gjithashtu një hyrje në ngjarjen kryesore që do të zhvillohet në Paris nga 30 qershori deri më 2 korrik 2021, në nivelin më të lartë.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.