Ministrja Shahpaska në konferencën përfundimtare të projektit për “Vlerësimin e standardeve për gjykim të drejtë dhe qasje në drejtësi në lëndët gjyqësore të dhunës në familje dhe krimit nga urrejtja”

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, sot mori pjesë në konferencën përfundimtare në kuadër të projektit “Vlerësimi i standardeve për gjykim të drejtë dhe qasje në drejtësi në lëndët gjyqësore të dhunës në familje dhe krimit nga urrejtja”, organizuar nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

Ministrja Shahpaska në fjalën e saj drejtuar pjesëmarrësve të pranishëm, iu referua përpjekjeve të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në drejtim të luftimit, parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna në familje.

“Rregullimi i dhunës në familje në legjislacionin pozitiv e veçon Maqedoninë e Veriut midis vendeve që, përveç sigurimit të mbrojtjes adekuate për viktimat e dhunës në familje, ka vendosur edhe mbrojtje komplementare ligjore për viktimat në këto raste”, nënvizoi ministrja Shahpaska. Ajo theksoi se në vendin tonë, dhuna në familje është rregulluar edhe me legjislacionin civil dhe me atë ndëshkues.

 

“Dhuna në familje u fut për herë të parë në legjislacionin tonë në vitin 2004, kurse në periudhën e kaluar janë bërë disa ndryshime në ligje, që kanë kontribuar në ndryshimet në marrëdhëniet në fushën e pranimit historik të dhunës në familje; roli shoqëror i burrave dhe grave; privatësia dhe familja; çështjet e pushtetit, autoritetit dhe legjitimitetit; legjislacioni dhe sistemi ligjor; zakonet dhe rregullat e heshtura kulturore për sjelljen dominuese burrë/grua, ndjenjat dhe reagimet dhe ndikimi i mediave në ballafaqimin me këtë lloj të dhunës”, nënvizoi Shahpaska. Ndërsa nga ana tjetër, sqaroi ministrja, në vitin 2014 është miratuar Ligji i parë sistematik për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, që kishte për qëllim të krijojë një kornizë të përgjithshme ligjore, me të cilën në mënyrë sistematike do të përmirësohet gjendja kundër dhunës në familje, duke krijuar një sistem të koordinuar dhe të integruar në të gjitha fushat e veprimit.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2018 vendosi dhe e filloi procesin për përgatitjen e Ligjit të ri për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje. Kjo zgjidhje ligjore aktualisht është në fazën finale të miratimit në Kuvendin e RMV-së. Me këtë ligj rregullohet:

- veprimi i institucioneve me kujdesin e duhur gjatë mbrojtjes së grave në të gjitha format e dhunës së bazuar në gjini dhe viktimave të dhunës në familje;
 
- koordinimi i ndërsjellë i institucioneve dhe organizatave;
 
- masat për parandalimin e dhunës së bazuar në gjini ndaj grave dhe dhunës në familje;
 
- grumbullimi i të dhënave për dhunën e bazuar në gjini ndaj grave dhe dhunën në familje;
 
- veprimi i shpejtë dhe efikas i institucioneve, sidomos i gjykatës në veprimin dhe shqiptimin e masave urgjente dhe të përkohshme për mbrojtje;
 
- lirimi i viktimave nga shpenzimet gjyqësore gjatë procedurave gjyqësore;
 
- viktima ka të drejtë të ngritë padi para gjykatës civile për përcaktimin e përgjegjësisë për mosveprim me kujdes të duhur nga institucionet kompetente.

Ministrja theksoi se është veçanërisht e rëndësishme që me projektligjin e ri do të miratohet edhe Programin për ri-integrimin e viktimave të dhunës, që do të përqendrohet në njohjen e viktimave si një kategori veçanërisht e prekshme dhe zhvillimin e masave për ndihmë dhe mbështetje bazuar në nevojat e tyre, përmes modeleve për strehim të përkohshëm, këshillimi psikologjik me mentorim, lloje të ndryshme të ndihmës financiare të destinuara posaçërisht për gratë viktima të dhunës, mundësi për arsim dhe trajnim në fusha të ndryshme, si dhe masa për punësim të përcaktuara me ligj.

Për Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut prioritet është procedura e shpejtë dhe efikase për mbrojtjen e viktimave, ri-integrimi i tyre në sistem dhe sigurimi i parandalimit në drejtim të zvogëlimit të dhunës.​

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.