07.05.2021

Ministrja Shahpaska në tryezë të rrumbullakët me temën “A kanë mbetur punëtorët informalë pa vaksinë ekonomike në kushtet e Covid 19?”

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska sot mori pjesë në tryezë të rrumbullakët me temë “A kanë mbetur punëtorët informalë pa vaksinë ekonomike në kushtet e Covid 19?”, ku u prezantua “Analiza e efektit të Covid-19 mbi punëtorët që janë pjesë e ekonomisë joformale dhe punëtorët e punësuar përkohësisht, përmes masave të propozuara për mbështetjen e tyre”, organizuar nga “Analytica Think tank”, me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëri e Hapur - Maqedoni.

Ministrja Shahpaska, e cila e hapi ngjarjen e sotme, theksoi se ballafaqimi me ekonominë joformale dhe nevoja dhe rëndësia për të formalizuar ato vende pune si për punëtorët ashtu edhe për shoqërinë, janë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme edhe në kushte normale, dhe veçanërisht të rëndësishme në kushtet e krizës serioze ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia Covid-19.

“Në fillim të krizës, detyra kryesore e Qeverisë ishte të ruajë çdo vend pune, por edhe të ndihmojë kategoritë më të prekshme të qytetarëve. Dhe, në të vërtetë, analiza tregon se masat ishin të menduara mirë, të targetuara mirë dhe dhanë efektin e dëshiruar. Të paktën 80,000 vende pune janë shpëtuar, ndërsa rënia e PBV-së do të kishte qenë të paktën 50 për qind më e madhe se rënia që është tani”, theksoi ministrja Shahpaska.

Gjatë kësaj, ajo vuri në dukje se në ballafaqimin me pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia, krijimi i masave që do të synojnë punonjësit në ekonominë joformale është një sfidë e madhe, por, megjithatë si shtet, mundësuam që edhe ata të përfshihen në shumë mënyra.

“Shumë qytetarë përfituan përmes ndihmës financiare të njëhershme në vlerë prej 7,000 denarë për familje për persona pa angazhim pune ose persona të cilët ishin pjesë e ekonomisë informale, pastaj përmes kartelës pagesore të vendit ku u përfshinë 115,927 persona – përfitues të ndihmës sociale, persona të papunë të regjistruar si punëkërkues aktiv, të rinj jo më të vjetër se 29 vjet, mbi 85 mijë punëkërkues pasivë etj.”, potencoi ministrja Shahpaska.

Ajo gjithashtu vuri në dukje ndryshimet ligjore që lehtësuan qasjen në ndihmën minimale të garantuar, në mënyrë që sistemi i mbrojtjes sociale të mbulojë sa më shumë familje në rrezik dhe kjo dha efekt.

Në prill të këtij viti, numri i familjeve që marrin ndihmë minimale të garantuar u rrit me gati 6,000 familje, krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Disa prej tyre kanë qenë pjesë e ekonomisë joformale, por nuk kanë arritur të bëhen pjesë e sistemit të mbrojtjes sociale”, tha Shahpaska.

Ajo theksoi se marrja e masave sistemike, të cilat sigurojnë zgjidhje afatgjata, si dhe krijimi i politikave që synojnë formalizimin e ekonomisë joformale është ajo për të cilën po punon Qeveria.

“Për këtë qëllim hartuam Strategjinë për formalizimin e punës joformale për periudhën vjetore 2018-2022”, në mënyrë që të krijojmë një sistem gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për zvogëlim efikas të punëtorëve joformalë, zvogëlim të subjekteve afariste të paregjistruara, si dhe zvogëlim të aktiviteteve informale në kuadër të ekonomisë formale”, theksoi Shahpaska.

Ajo vuri në dukje se kompleksiteti i ekonomisë joformale kërkon një qasje multi-sektoriale, për shkak të së cilës Qeveria që në vitin 2018 krijoi një Trup Koordinues përgjegjës për koordinimin dhe monitorimin e zbatimit të Strategjisë. Ajo, gjithashtu, vuri në dukje mbështetjen e Komisionit Evropian për zbatimin e disa prej aktiviteteve të parashikuara nga Plani i Veprimit për zbatimin e Strategjisë.

Ajo i theksoi edhe përpjekjet e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në krijimin e politikave dhe masave që synojnë formalizimin e ekonomisë joformale, siç është Ligji i ri i Marrëdhënieve të Punës, mbi të cilin punohet bashkërisht nga përfaqësues të punëtorëve dhe punëdhënësve.

“Zgjidhjet e reja në Ligjin e Marrëdhënieve të Punës do të nënkuptojnë një shkallë të caktuar të garancisë për punëtorët gjatë gjithë vitit, por gjithashtu edhe garanci për punëdhënësit se sezonin e ardhshëm ata do të kenë punëtorë të sigurt”, tha Shahpaska.

Ajo e theksoi rëndësinë e masës për aktivizimin e tregut të punës që po e realizon Ministria së bashku me Agjencinë e Punësimit.

“Përmes planit individual për secilin person që është në gjendje të punojë, të përgatitur nga Qendrat për Punë Sociale së bashku me APRMV, përmes rikualifikimit dhe trajnimit shtesë të ofruar, ne krijojmë kushte për secilin person është në gjendje të punojë me mbështetjen e institucioneve për të siguruar një punë të përshtatshme që do të thotë jo vetëm siguri, por edhe mundësi për avancimin në karrierë. Besoj se ky do të jetë një motiv shtesë për punëkërkuesit pasivë, por edhe për punëtorët joformalë që të bëjnë më të mirën për t’u bërë pjesë e procesit formal të punës”, theksoi Shahpaska.

Në fund, ministrja tha se çështja e formalizimit të ekonomisë joformale nuk është një çështje që duhet të zgjidhet vetëm nga Qeveria ose Ministria, por kjo kërkon përfshirjen e autoriteteve lokale, OJQ-ve dhe të gjitha institucioneve të tjera, në mënyrë që të informojë qytetarët për të gjitha mundësitë të cilat u ofrohen atyre.​

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.