31.03.2021

Shahpaska: Donacioni i karrocave nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke është konfirmim i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm, mbështetjes dhe marrëdhënieve miqësore me R. e Turqisë

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, së bashku me Zëvendësministrin Enver Husein, Sekretarin shtetëror Resmi Ejupi, Sekretarin e Përgjithshëm të Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut, Sait Saiti, u takuan me drejtorin e Përgjithshëm të Gjysmëhënës së Kuqe të Republikës së Turqisë, Ibrahim Alltan. Arsyeja e takimit të sotëm ishte dhurimi i karrocave, aparateve të dëgjimit dhe mjeteve higjienike nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke për vendin tonë, të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara si kategori më e rrezikuar e qytetarëve.

“Republika e Turqisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut janë vende mike që kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm në shumë fusha. Për ne, si ministri përkatëse që kujdeset për kategoritë më të prekshme të qytetarëve, bashkëpunimi me organizatat humanitare është veçanërisht i rëndësishëm, sepse çdo ndihmë dhe mbështetje është e mirëseardhur”, tha ministrja Shahpaska.

Ajo vuri në dukje bashkëpunimin me Kryqin e Kuq të Maqedonisë si organizatë më e vjetër humanitare në vendin tonë, veçanërisht gjatë pandemisë, por edhe në përgjithësi gjatë gjithë viteve të kaluara. Gjatë kësaj ajo e theksoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Gjysmëhënën e Kuqe Turke, që rezultoi në dhurimin e sotëm të njëqind karrocave, 25 aparateve të dëgjimit dhe pakove me mjete higjienike.

 

“Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut i përkasin familjes së madhe të kuqe, që përfshin rreth 110 organizata, vëllezër, të cilët ndihmojnë njëri-tjetrin”, tha drejtori i Përgjithshëm i Gjysmëhënës së Kuqe Ibrahim Alltan. Ai e theksoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Kryqin e Kuq të Maqedonisë së Veriut dhe shprehu bindjen në thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Zëvendësministri, Enver Husein, informoi se donacioni do të mbulojë disa komuna, duke përfshirë Radovishin, Strumicën, Gjevgjelinë, Robovën dhe një pjesë të Shkupit. Ai e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis dy organizatave humanitare, Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe si veçanërisht të rëndësishme, gjë që konfirmohet nga ky donacion që do të plotësojë nevojat e disa qytetarëve që i përkasin kategorive të rrezikuara.

 

Bashkëbiseduesit në takimin e sotëm shprehën kënaqësinë nga bashkëpunimi i deritanishëm dhe bindjen se do të vazhdojë edhe më tej, në mënyrë që të ofrojë ndihmë dhe mbështetje për të gjithë ata që kanë nevojë për të, me theks të veçantë për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve.​

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.