14.04.2021

Shahpaska: Komuna e Likovës bëhet me kopsht të ri, që do të kujdeset për 102 fëmijë, përmes Kontratës për Grant për ndërtimin e kopshteve të reja

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska së bashku me Kryetarin e Komunës së Likovës, Erkan Arifi sot nënshkruan Kontratë për Grant, me të cilën sigurohen burime financiare për ndërtimin e kopshtit të ri në vendbanimin Mateç.

 

“Kopshti i ri do të ketë kapacitet të kujdeset për 102 fëmijë, të moshës prej 0 deri 6 vjeç, për ndërtimin dhe pajisjen e të cilit Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka ndarë 50 milionë denarë. Si Ministri, ne jemi të përkushtuar ndaj agjendës sonë, e cila është gjithashtu pjesë e programit qeveritar, që është ndërtimi i objekteve të reja dhe zgjerimi i kapaciteteve ekzistuese të kopshteve”, deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale,  Jagoda Shahpaska.

Ajo vuri në dukje se përveç investimeve në kapacitetet hapësinore të kopshteve, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale vazhdon të investojë edhe në përmirësimin e programeve mësimore dhe aftësive profesionale të punonjësve të tyre.

 

Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, informoi se sipas statistikave zyrtare në territorin e Likovës jetojnë rreth 2,200 fëmijë nën moshën gjashtë vjeç, dhe se ndërtimi i këtij kopshti të ri në Mateç është një veprim i vërtetë drejt zgjidhjes së kësaj sfide.

Ky grant është pjesë e Komponentit 2 të Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale që e zbaton Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, me mbështetjen e Bankës Botërore. Deri më tani, me mjetet e këtij projekti janë rindërtuar çerdhet në Resnjë dhe Bogovinë, kurse vijon edhe ndërtimi dhe rindërtimi i tetë kopshteve të tjera në Kavadarci, Negotinë, Koçani, Strumicë, Probistip, Kriva Pallankë dhe në komunat e Shkupit Kisella Vodë dhe Gjorçe Petrov, në të cilat do të kujdesen edhe 1.349 fëmijë të tjerë.

 

Likova është njëra ndër 17 komunat që aplikuan dhe i plotësuan kushtet e thirrjes së parë publike për grante për ndërtimin e kopshteve dhe qendrave për zhvillimin e fëmijërisë së hershme. Së shpejti do të publikohet një thirrje e re publike për grante për zgjerimin e objekteve ekzistuese dhe ndërtimin e kopshteve të reja shtesë në të gjithë vendin.​

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.