05.06.2025
Limani: Le të bëhemi ndryshimi për njerëzit që janë në margjina - sot po i vendosim ata në qendër të vëmendjes
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, sot mori pjesë në Forumin për Përforcimin e Komuniteteve të Cenueshme përmes trajnimit dhe partneritetit të projektit CËRN LEBED - projekt i Impakt Hab-it nga Austria, në bashkëpunim të ngushtë me Fondacionin Sizigija nga Maqedonia e Veriut.
Projekti synon t’u mundësojë të rinjve, veçanërisht grave, personave me aftësi të kufizuara dhe kategorive të tjera të cenuara, t’i përvetësojnë aftësitë, njohuritë dhe përvojat e nevojshme që do t’i ndihmojnë ata të angazhohen aktivisht në tregun e punës dhe ta ndërtojnë pavarësinë e tyre ekonomike.
Në fjalimin e tij, Ministri Limani iu referua simbolikës së titullit të projektit “Cërn Lebed”, i cili nuk është thjesht një titull i zakonshëm, por thirrje për pikë kthese - moment që ndryshon rrjedhën e ngjarjeve, rrjedhën e jetës.
“Sot, ne jemi këtu për të iniciuar pikërisht një moment të tillë”. Le të bëhemi ndryshimi për situatën aktuale, për njerëzit që ishin në margjina, dhe sot i vendosim ata në qendër të vëmendjes me theks te gratë e reja dhe personat me aftësi të kufizuara, përmes trajnimit, praktikës dhe përfshirjes aktive në procesin e punës. “Grupe të tilla shpesh përballen me barriera sistemike, por në të njëjtën kohë zotërojnë potencial të madh që shoqëria jonë nuk duhet të lejojë të injorohen”, theksoi Limani.

Ai nënvizoi se Ministria është e përkushtuar në krijimin e politikave që synojnë përfshirjen e plotë sociale dhe ekonomike.
“Përmes strategjive, programeve, mbështetjes, masave të subvencionuara të punësimit, bashkëpunimit me komunitetet lokale dhe organizatat e shoqërisë civile, ne po punojmë për të krijuar një sistem që jo vetëm i njeh nevojat e grupeve të cenuara, por edhe në mënyrë aktive i mënjanon pengesat për pjesëmarrjen e tyre në jetën publike dhe ekonomike”, tha Limani.

Ai theksoi se Forumi është platformë e rëndësishme për dialog, bashkëpunim dhe planifikim të përbashkët. Por, mbi të gjitha, përkujtim se asnjë institucion, organizatë apo individ nuk mund të ndërtojë shoqëri gjithëpërfshirëse i vetëm. Prandaj, nevojitet përpjekje e përbashkët, vizion i qartë dhe veprim konkret.