10.06.2025
Ministri Limani viziton Austrinë - fokusi i takimit është avancimi i arsimit parashkollor dhe inovacioneve sociale
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Austrisë, zhvilloi një takim pune me Kristiane Teshl -Hofmajster, Këshilltare për Arsim në Qeverinë e Republikës së Austrisë.
Në fokus të takimit ishte arsimi dhe kujdesi parashkollor, përvojat e të dy vendeve në këtë fushë dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Ministri Limani theksoi se takimi po zhvillohet në një moment vendimtar për Maqedoninë e Veriut, e cila është e angazhuar fuqimisht në zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të institucioneve parashkollore. Gjithashtu iu referua përpjekjeve të Ministrisë, e cila, në bashkëpunim të ngushtë me komunat dhe partnerët ndërkombëtarë, është e përkushtuar për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në arsimin parashkollor, me qëllim arritjen e objektivit evropian prej 96% deri në vitin 2030.
Ministri shprehu interes për përvojën e Austrisë, veçanërisht për modelin "Kinderwelt", i cili përfaqëson një standard të lartë të inovacionit social dhe përfshirjes së përbashkët. Në kontekstin e mundësive të përshtatjes së këtij modeli në kontekstin tonë kombëtar, u diskutua shkëmbimi i ekspertizës, trajnimi për edukatorët dhe projektet e përbashkëta.
Maqedonia e Veriut dhe Austria kanë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunim të ngushtë, përfshirë edhe në fushën e politikës sociale.

Ministritë resore të të dy vendeve kanë nënshkruar gjithashtu një memorandum mirëkuptimi që specifikon bashkëpunimin midis dy ministrive mbi sistemet e mbrojtjes sociale, mbrojtjen sociale për kategori të ndryshme viktimash, çështjet që lidhen me ndihmën sociale dhe integrimin social dhe profesional të personave me aftësi të kufizuara dhe grupeve të tjera të personave në rrezik margjinalizimi, ofrimin e kujdesit profesional, kujdesit afatgjatë dhe shërbimeve sociale për grupe të ndryshme të synuara, si dhe politika dhe masa sociale për grupe specifike të synuara.
Austria është një nga investitorët më të mëdhenj të huaj në vend dhe një mbështetëse e fuqishme e procesit të integrimit në BE.
Bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi për takimin dhe angazhime të sinqerta për të përforcuar bashkëpunimin e mëtejshëm.