17.11.2025
Sekretari Shtetëror Sabriu merr pjesë në Forumin Rajonal “Inovacioni i Shërbimeve Sociale: Rruga drejt Përfshirjes dhe Qëndrueshmërisë” në Tiranë
Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, mbajti fjalim në Forumin e Rrjetit, në Tiranë “Inovacioni i Shërbimeve Sociale: Rrugët drejt Përfshirjes dhe Qëndrueshmërisë”, ku morën pjesë pjesëmarrës kombëtarë dhe ndërkombëtarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Austria.

“Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë – të shkëmbejmë përvoja, modele inovative dhe qasje praktike që do të mundësojnë shërbime sociale më moderne, më efikase dhe më humane. Sepse reforma e sistemit të mbrojtjes sociale nuk është vetëm detyrë administrative – është një përgjigje ndaj nevojave reale të njerëzve, familjeve, fëmijëve dhe të rriturve të cilët presin mbështetje që do të përmirësojë cilësinë e jetës së tyre”, tha Sekretari i Shtetëror Sabriu.
Sabriu, përpara të pranishmëve, theksoi fokusin e vendit tonë në një qasje të integruar ndaj ofrimit të shërbimeve sociale - një model modern kujdesi i bazuar në parimet e përfshirjes, ndërhyrjes së hershme, bashkëpunimit multidisiplinor dhe mbështetjes së individualizuar.
“Kjo qasje synon të krijojë një sistem mbështetës dhe gjithëpërfshirës që lidh aspektet shëndetësore, arsimore dhe sociale, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre. Me këtë, po kalojmë pragun nga një model klasik, reaktiv i ndihmës sociale, në një model aktiv të kujdesit, i cili e njeh nevojën edhe para se problemi të thellohet”, tha Sabriu.

Duke iu referuar Garancisë Evropiane për Fëmijë, si instrument i ri për mbrojtjen e fëmijëve të ekspozuar ndaj varfërisë dhe përjashtimit, ai tha: “Vizioni ynë është futja e një ndihme universale për fëmijët, sepse besojmë se çdo fëmijë është i rëndësishëm, por edhe zhvillimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale – ku kufijtë midis sistemeve duhet të kapërcehen për të krijuar një rrjet të vërtetë mbështetjeje”.
Sipas Sabriut, inovacioni në shërbimet sociale nuk ka të bëjë vetëm me teknologjitë ose metodologjitë e reja - ka të bëjë me mënyra të reja të të menduarit, me hapjen ndaj bashkëpunimit dhe me aftësinë për të dëgjuar. Për të dëgjuar nevojat e njerëzve, historitë e tyre, vështirësitë e tyre, por edhe potencialin e tyre.