30.04.2025
Sabriu: Çdo fëmijë me autizëm është i ndryshëm, por secili meriton të njëjtën gjë - dashuri, mbështetje dhe një vend në shoqëri
Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, vizitoi Shoqatën e Prindërve të Fëmijëve me Autizëm "Blue Puzzle" - ofrues i shërbimeve të kujdesit ditor për personat me aftësi të kufizuara.
Si pjesë e një serie ngjarjesh të organizuara për të shënuar Prillin - Muajin e Ndërgjegjësimit për Autizmin, Sabriu iu drejtua të pranishmëve, duke shprehur nderin dhe kënaqësinë e madhe për ngjarjen e sotme.

“Ky muaj nuk është vetëm simbolik. Është një kujtesë për rëndësinë e të kuptuarit, pranimit dhe mbështetjes së personave me autizëm dhe familjeve të tyre. Sot edhe një herë dua të potencoj - autizmi nuk është sëmundje. Është një spektër, një diversitet, një mënyrë e perceptimit të botës që nuk ka nevojë të ndryshohet por, përkundrazi, të pranohet dhe të kuptohet. Personat me autizëm janë unikë - me talentet, interesat, aftësitë dhe mënyrat e tyre të komunikimit. Roli ynë si shoqëri është të krijojmë një hapësirë ku ata ndihen të sigurt, të dëgjuar dhe të vlerësuar. Kjo është arsyeja pse sot, duam të japim një mesazh të qartë: pranimi fillon duke i mirëkuptuar; Le t’i çrrënjosim paragjykimet. Frikën nga e panjohura le ta shndërrojmë në një dëshirë për të mësuar dhe bashkëpunuar. Le të mundësojmë shkolla gjithëpërfshirëse në çdo komunitet dhe institucione gjithëpërfshirëse në çdo komunë. Të mos harrojmë – diversiteti nuk na ndan, por na pasuron”, theksoi Sabriu.
Duke përfituar nga rasti, ai shprehi mirënjohjen e tij për Shoqatën e Prindërve me Fëmijë më Autizëm “Blue Puzzle”, e cila kanë bërë një hap të madh përpara duke krijuar një Qendër për fëmijët me çrregullime të spektrit autik.
“Ministria e Politikës Sociale, e Demografisë dhe e të Rinjve është partneri juaj në këtë mision të rëndësishëm dhe vazhdon të ofrojë mbështetje. Vetëm të bashkuar mund të bëjmë ndryshimin - të ndërtojmë një botë ku kremtohet diversiteti festohet, jo fshihet. Çdo fëmijë me autizëm është i ndryshëm, por secili meriton të njëjtën gjë: dashuri, mbështetje dhe një vend në shoqëri. Le të jemi zëri që inkurajon, dora e shtrirë dhe zemra që i mirëkupton”, porositi në fund të ngjarjes Sabriu.