03.12.2024
Limani me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me nevojë: Kjo ditë le të jetë nxitje për ndryshime konkrete në infrastrukturë dhe ndërgjegjësim për një shoqëri të barabartë për të gjithë
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, së bashku me kryetarin e Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, e vizituan Shoqatën e Prindërve të Fëmijëve me Autizëm “Blue Puzzle” – ofruese e shërbimit të kujdesit ditor për personat me aftësi të kufizuara.
Në vijim fjalimi i ministrit Limani:
Sot, më 3 dhjetor, bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me nevojë– ditë kjo që na kujton detyrimet dhe përgjegjësitë tona, që të gjithë ne jemi të detyruar si shoqëri t'i përshtatim dhe të sigurojmë mundësi për shfrytëzimin dhe zhvillimin e potencialit të çdo personi, veçanërisht të personave me nevojë.
Personat me aftësi të kufizuara shpeshherë përballen me një sërë barrierash – jo vetëm fizike, por edhe sociale, emocionale dhe ekonomike. Këto barriera përveç që kufizojnë mundësitë e tyre, pengojnë edhe integrimin e tyre në shoqëri.
Por sot, le të mos flasim vetëm për problemet dhe vështirësitë e personave me nevojë. Kjo ditë është gjithashtu një rast për të festuar guximin, qëndrueshmërinë dhe arritjet e tyre të mahnitshme.
Këto persona nuk duhet të perceptohen nga nevojat e tyre, por nga aftësitë, talentet dhe potenciali i tyre. Mënyra e vetme për të krijuar një shoqëri gjithëpërfshirëse është nëse ne të gjithë punojmë së bashku.
Prandaj, si individë, si komunitete dhe si institucione, duhet të bëjmë përpjekje për mënjanimin e barrierave fizike, për përmirësimin e sistemit edukativo-arsimor, në mënyrë që të garantojmë të gjithë fëmijët dhe personat të kenë mundësi të barabarta.
Të zotohemi fortë të zbatojmë Strategjinë Kombëtare për të Drejtat e Personave me nevojë 2023-2026 dhe Planin e Veprimit 2023-2026, i cili ka një qasje multi – sektoriale me një synim të vetëm.
Deri më sot, në sistemin e mbrojtjes sociale kemi rreth 133 ofrues të licencuar të shërbimeve sociale – shërbime këto që u mundësojnë përfituesve të bëjnë një jetë të pavarur dhe njëherësh mundësi për të marrë pjesë në shoqëri në baza të barabarta.
Gjatë vitit 2024, krahasuar me vitet e kaluara, ministria, krahas ofruesve të shërbimit të kujdes ditor që janë kryesisht nën Qendrat e punës sociale, ka zgjeruar rrjetin e ofruesve të licencuar të këtij shërbimi-veçanërisht kur bëhet fjalë për këtë shërbim me trajtim individual. Vetëm në këtë shërbim kemi rreth 396 përfitues.
Një shërbim që gjithashtu u mundëson përfituesve të bëjnë një jetë të pavarur dhe që do të thotë shumë për përfshirjen e tyre në komunitet është shërbimi i Asistencës personale. Ky shërbim ofrohet nga katër ofrues të licencuar në disa komuna dhe numri i përfituesve është rreth 880.
Si shërbim më i zhvilluar në sistemin e mbrojtjes sociale me përfshirje më të madhe të përfituesve është shërbimi i ndihmës dhe përkujdesjes në shtëpi, për të cilin shërbim ka më së shumti kontrata administrative respektivisht kemi rreth 33 kontrata me komunat dhe ofruesit e licencuar të këtij shërbimi. Vetëm gjatë këtij viti kemi lidhur rreth 62 kontrata administrative me një numër total prej 2073 përfitues.
Punojmë intensivisht për themelimin e një Organi vlerësues me Metodologji të vetme për kryerjen e vlerësimit të nevojës, me qëllim të realizimit të të drejtave nga sigurimi pensional dhe invalidor, si dhe të drejtave nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve në bazë të funksionalitetit.
Po ashtu, punojmë edhe për vendosjen dhe mirëmbajtjen e një Regjistri të personave me nevojë, i cili Regjistër do t’i përmbajë të gjitha të dhënat për personat me nevojë që janë në sistemin e vlerësimit, aftësimit në punë dhe rehabilitimit profesional dhe të dhënat e përfituesve të subvencioneve për punësim.
Me këtë do të mundësohet, personat me nevojë të jenë konkurrues në tregun e hapur të punës dhe, në këtë drejtim, punohet në ngritjen e Qendrave të rehabilitimit profesional për aftësimin për punë të personave me nevojë.
Të nderuar,
Le të jetë kjo ditë nxitje për ndryshime konkrete në infrastrukturën dhe ndërgjegjësimin që do të krijojë një botë ku të gjithë do të jenë të barabartë.
Dita e personave me nevojë është ngjarje dhe moment bashkimi, solidarizimi dhe ecje përpara drejt një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Ju falenderoj!