12.12.2024
Vellkovski: Për tre dekada, shteti maqedonas është shembull i humanizmit dhe solidaritetit ndaj refugjatëve dhe mërgimtarëve
Sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë u shënua 30 vjetori nga themelimi i partneritetit ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR).
Duke kujtuar historinë dhe sfidat me të cilat përballet shteti, të pranishmit theksuan arritjet e përbashkëta në fushën e mbrojtjes së refugjatëve dhe promovimit të të drejtave të njeriut.
Shteti maqedonas ishte shembull solidariteti në botë, duke u përballur me disa kriza refugjatësh dhe migrantësh.
Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, në fjalën e tij shprehu falënderim për bashkëpunimin afatgjatë me UNHCR-në. “Këto tre dekada kanë treguar vendosmërinë tonë për të qëndruar pas kategorive më të cenueshme, për t'i mbrojtur të drejtat e tyre dhe për t'u dhënë mundësi për një fillim të ri”, tha ai, duke iu referuar momenteve historike kur shteti maqedonas ishte krah për krah me refugjatët.
Vellkovski kujtoi gjithashtu ngjarjet kryesore, si hapja e kufijve për mbi 30,000 refugjatë nga Bosnja dhe Hercegovina në vitin 1994, dhe mbështetja e pothuajse 360,000 refugjatëve të Kosovës gjatë krizës së vitit 1999.
Përmes bashkëpunimit me UNHCR-në, Maqedonia jo vetëm që siguroi strehim të përkohshëm, por gjithashtu krijoi një sistem për integrim lokal. Në vitin 2009, mbi 2000 refugjatë morën status ligjor dhe akses në të gjitha të drejtat, duke u bërë pjesë e shoqërisë.
“Sfida më e madhe erdhi me krizën e emigrantëve në vitin 2015, kur vendi ofroi mbështetje humanitare për më shumë se një milion refugjatë tranzit. Ky partneritet, siç u theksua, bazohet në besim, solidaritet dhe vlera të përbashkëta” shtoi Vellklovski.
Përfaqësuesi i UNHCR-së, Gabriell Guallano de Godoj, e theksoi rolin e Maqedonisë si model për integrim të suksesshëm dhe menaxhim të krizave të refugjatëve. “Kjo nuk është vetëm një histori e së shkuarës, por edhe një premtim për të ardhmen. Maqedonia tregon se si vendet e vogla mund të bëjnë ndryshime të mëdha”, tha ai.
Me përvjetorin, shteti maqedonas konfirmoi rolin e tij si partner kyç në përpjekjet globale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke demonstruar se solidariteti dhe humanizmi janë vlera universale që përcaktojnë të ardhmen e një kombi.