06.12.2024
Zëvendësministri Gjoko Vellkovski në takim me përfaqësues të Bankës Botërore
Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, zhvilloi takim pune me drejtorin rajonal të Bankës Botërore për mbrojtje sociale dhe çështje të punës, Mihail Rutkovski, si dhe me përfaqësueset e larta Natalie Lahir dhe Bojana Naceva. Takimi iu kushtua diskutimit të projekteve aktuale dhe të ardhshme, si dhe hapave konkretë për përmirësimin e shërbimeve sociale në vend.
Në takim u diskutuan disa tema kryesore, duke përfshirë:
- Ecurinë e projekteve të shërbimeve sociale në vazhdim, me fokus në efektivitetin dhe ndikimin e tyre tek përfituesit.
- Zbatimin e një sistemi të ri informacioni për administrimin e përfitimeve në para dhe shërbimeve sociale, i cili do të mundësojë menaxhim më efikas, transparencë dhe dhënie në kohë të ndihmës për përfituesit.
- Aktivizimi i grupeve të cenuara në tregun e punës, nëpërmjet masave dhe programeve që do t'i ndihmojnë ata të integrohen dhe të bëhen të pavarur ekonomikisht.
- Organizimi i trajnimeve për stafin dhe edukatorët, me qëllim përforcimin e kapaciteteve të profesionistëve që punojnë drejtpërdrejt me përfituesit e shërbimeve sociale, si dhe përmirësimin e aftësive dhe kualifikimeve të tyre.
Gjithashtu, u diskutuan prioritetet e ardhshme në bashkëpunim me Bankën Botërore, si dhe mundësitë për zgjerimin e mbështetjes në fushën e arsimit, kujdesit në fëmijërinë e hershme dhe integrimit të personave me aftësi të kufizuara.
“Bashkëpunimi me Bankën Botërore përfaqëson një partneritet të rëndësishëm në përpjekjet tona për të krijuar një sistem të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të mbrojtjes sociale. Këto projekte janë të një rëndësie thelbësore për qytetarët, veçanërisht për kategoritë më të cenueshme dhe i forcojnë kapacitetet e shtetit tonë për të ofruar shërbime cilësore dhe të përballueshme”, theksoi zëvendësministri Gjoko Vellkovski.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë mbetet plotësisht e përkushtuar për avancimin e mbrojtjes sociale, e udhëhequr nga parimet e transparencës, gjithëpërfshirjes dhe efektivitetit.