01.10.2024
Limani: Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve e shënojmë me pensione më të larta dhe synime për një standard më të mirë pensional
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, sot ka vizituar një përfituese të shërbimit të kujdesit dhe ndihmës në shtëpi - pensioniste e cila jeton e vetme dhe prej më shumë se një viti është përfituese e këtij shërbimi. Shërbimi ofrohet nga “ADRA” - Shkup në territorin e komunave Butel, Çair dhe Çuçer Sandevë dhe për këtë qëllim është licencuar nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Ministri Limani dhe përfituesja e shërbimit znj. Radojka Nikollova Sllavkova diskutuan për disa tema, si: standardi i pensionistëve, shërbimi i ndihmës dhe kujdesit në shtëpi dhe për të rinjtë. Ata diskutuan për faktin se sot të gjithë 340.000 pensionistë kanë marrë 2.500 denarë pensione më të larta, ndërsa me rritjen në muajin mars do të marrin 2.500 denarë shtesë. Këto janë pensione më të larta për 5.000 denarë dhe paraqet një nga premtimet e realizuara të kësaj Qeverie.
Përfituesja e shërbimit u shpreh e kënaqur me mundësinë e shfrytëzimit të shërbimit të ndihmës dhe kujdesit në shtëpi, veçanërisht i dobishëm për të moshuarit që janë vetëm dhe kanë nevojë për mbështetje.
Ministri Limani theksoi se rritja e pensioneve dhe shërbimet e vendosura janë vetëm një pjesë e asaj që po bën ky resor, gjegjësisht se po punohet në përmirësimin e mundësive për një jetë më të denjë për të gjithë të moshuarit përmes masave dhe investimeve që do ta mundësojnë këtë.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se angazhimi i të rinjve si kujdestarë të licencuar kontribuon në uljen e papunësisë.
Për ta bërë këtë shërbim social sa më të aksesueshëm dhe për plotësimin e nevojave të përfituesve, ky shërbim ofrohet në të gjithë vendin, respektivisht në 39 komuna përmes 22 Qendrave për punë sociale me të cilat Ministria ka lidhur kontrata administrative. Ky shërbim u ofrohet rreth 2.300 përfituesve nga rreth 620 kujdestarë të certifikuar.
Gjatë gjithë vitit, Ministria kontribuon në zgjerimin e rrjetit të ofruesve të shërbimeve sociale me një proces të hapur licencimi.