05.10.2024

Limani: Vazhdojmë 100% të përkushtuar të punojmë vetëm në interes të fëmijëve, rinisë, pensionistëve dhe ktegorive të cënueshme të shoqërisë

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Llogaridhënia dhe transparenca janë tipare të praktikës së mirë të qeverisjes dhe sundimit të demokracisë në një vend. Kjo, në fakt, nënkupton informimin e qartë dhe të hapur të qytetarëve për atë që është bërë, çfarë po vijon dhe për planet afatmesme dhe afatgjata.

Si Qeveri dhe ministri përkatëse, ne e marrim barrën e përgjegjësisë që nga vendimmarrja e deri në zbatimin e tyre. Sepse ju, qytetarë të nderuar, na e keni dhënë besimin tuaj, të cilin ne bartësit e posteve shtetërore duhet ta arsyetojmë.

Si Ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, sot do të kryej detyrimin tim të llogaridhënies për 100 ditët e Qeverisë, në sferat që i mbulon dhe që janë në juridiksionin e Ministrisë që unë e drejtoj.

100 ditët e Qeverisë nënkuptonin angazhim 100%. Më duhet të nënvizoj se gjetëm projekte të ngecura, mungesë mjetesh apo të paplanifikuara për pagesat rrjedhëse, punonjës të pakënaqur dhe të pamotivuar nëpër institucione, por mbi të gjitha qytetarë të zhgënjyer me situatën në përgjithësi në vend, të krijuar nga strukturat e mëparshme qeveritare.

Ne i përveshëm mëngët dhe filluam që nga dita e parë me analizën e gjendjes dhe u përkushtuam maksimalisht për të gjetur zgjidhje për sfidat me të cilat u përballëm. Për këto 100 ditë mund të mos kemi bërë shumë, por kemi bërë hapa domethënës që ua bëjnë më të lehtë qytetarëve jetën e tyre.

U zotuam të punojmë ekskluzivisht dhe vetëm në interes të qytetarëve dhe këtë po e bëjmë.

Gjënë e parë që e realizuam, nga e cila përfitojnë një numër i madh qytetarësh, ka të bëjë me kategorinë tonë më të moshuar të qytetarëve-pensionistët.

Premtuam dhe e realizuam. Më 1 tetor, rreth 340.000 pensionistë kanë marrë pensione më të larta për 2.500 denarë. Më 1 prill, me pensionin e marsit, do të marrin edhe 2.500 denarë, në përputhje me ndryshimet e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, që e garanton këtë. Kjo nënkupton 5.000 denarë pensione më të larta për çdo pensionist.

Një segment tjetër po aq i rëndësishëm janë komunat. Mbase ato i njohin më së miri nevojat e banorëve të tyre. Prandaj bashkëpunimi i mirë me ta është i një rëndësie vendimtare dhe në interes të qytetarëve.

Qeveria siguroi 250 milionë euro për investime kapitale për komunat. Kanë arritur 357 projekte nga rreth 80 komuna. Disa prej tyre janë edhe për kopshte fëmijësh dhe Qendra në fushën e mbrojtjes sociale.

Në 100 ditët e kaluara kemi vënë gurthemelin e dy kopshteve të reja në komunën e Butelit. Ky investim kap vlerën prej 100 milionë denarë dhe në komunën e Gazi Babës në vendbanimin Trubarevë vlera e investimit është 19 milionë denarë.

Filluam me aktivitete ndërtimore për ndërtimin e bjektit “Izvorçe” (Burimi) në afërsi të kopshtit “Sërniçka” (Drenusha), në komunën e Aerodromit, për të cilën janë investuar 120 milionë denarë.

Po ashtu, e lëshuam në përdorim kopshtin e rindërtuar “Goce Dellçev” në Komunën e Ilindenit. 

Për këto 100 ditë kanë përfunduar kopshtet e fëmijëve (çerdhet) në vendbanimet Jegunovcë, Tearcë, Tetovë, Likovë dhe Shuto Orizare. 

Në fazën përfundimtare të ndërtimit janë kopshtet në Komunën e Çairit, Prilepit, Manastirit dhe Sveti Nikoles – fshati Erxheli. 

Në 13 kopshte të tjera po vazhdojnë aktivitetet ndërtimore.

Përveç investimeve në kopshte, ne po investojmë edhe në Qendra për personat me aftësi të kufizuara, si dhe në Shtëpi dhe Qendra për të Moshuarit.

Ka filluar ndërtimi i Qendrës Ditore për Personat me Aftësi të Kufizuara Fizike dhe Mendore në Komunën e Kavadarcit – ky projekt kap vlerën mbi 40 milionë denarë, si dhe vijon procesi i rikonstruktimit dhe adaptimit të krahut të “Shtëpisë së të moshuarve Dr. Ivan Vlashki” në Berovë, në vlerë prej 11 milionë denarë.

Filluam me procedurat për katër objekte të reja, ku po vijon procesi i kompletimit të dokumentacionit dhe lidhjes së Kontratës për realizim. 

Dy prej këtyre janë për përkujdesje jashtë-familjare të të moshuarve në Kriva Pallankë dhe Kavadarci dhe dy objekte për persona me aftësi të kufizuara në Bogovinë dhe Makedonski Brod.

Siç mund të shihni, të gjitha anët e vendit janë të përfshira, ndaj po investohet atje ku një komunë e caktuar do të shfaqë interes për nevojat e banorëve të saj.

Është e rëndësishme të theksohet se nuk do të ndalemi këtu, por planifikojmë të rrisim numrin e Qendrave për Punë Sociale, për personat me aftësi të kufizuara, për të moshuarit, për rehabilitimin nga varësitë e ndryshme dhe për strehimore.

Në fazë përfundimtare është rikonstruktimi i Entit për Rehabilitimin e Fëmijëve dhe të Rinjve në lagjen Fushë Topanë të Shkupit. Ky Ent po shndërrohet në Qendër Burimore për Shërbimet Sociale dhe është Projekt i IPA 2, në kuadër të  Programit për Përfshirje, që kap vlerën 1.6 milionë euro.

Në 100 ditët e kaluara janë lidhur 10 Kontrata të reja me komuna dhe ofrues të licencuar të shërbimeve sociale, gjegjësisht shërbime në shtëpi dhe shërbime në komunitet. Ministria siguron mjete për shërbimet pas përfundimit të mbështetjes financiare me grantin e Bankës Botërore. 

Në kuadër të Institucionit Publik për Përkujdesjen e Fëmijëve me probleme edukative sociale dhe sjellje të çrregulluara, me ndihmën financiare të Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian, është përpiluar propozim-projekt për rikonstruktimin e një pjese të institucionit për hapjen e një Qendre Këshillimi për fëmijët në rrezik.

Po ashtu, kemi punuar në mënyrë aktive për ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, i cili është në fazën përfundimtare dhe paraqet një përmirësim në procesin e lëshimit të LICENCAVE për edukatorë dhe përkëdhelës – proces ky i bllokuar prej 1 vit e gjysmë. Me këto ndryshime do të hapet procesi i punësimit në kopshte, edhe atë për mbi 800 edukatorë, përkëdhelës, punonjës profesionalë dhe bashkëpunëtorë.

Po ashtu, me duhet te theksoj se nga Komisioni Europian është miratuar Programi Operativ IPA 3 “Kapitali Njerëzor”, i cili përfshin Garancinë Rinore, punësimin e kategorive të rrezikuara, sipërmarrësinë sociale, dialogun social, shërbimet sociale, strehimin social etj. Ky grant i BE-së është në vlerë prej 40 milionë euro.

Të nderuar të pranishëm,

Ndoshta 100 ditë janë shumë pak për t’u dëshmuar qytetarëve se jemi seriozisht të përkushtuar për të përmbushur premtimet dhe zotimet tona, por në këto 100 ditë kemi bërë ndryshime të rëndësishme që e kanë përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.

Kuptohet, ky është vetëm fillimi, qytetarët meritojnë shumë më tepër. Prandaj, në periudhën që kemi përpara do të punojmë me përkushtim për zhvillimin demografik dhe politikat rinore.

Segment tjetër po aq i rëndësishëm është demografia. Plani i demografisë parashikon masa për nxitjen e lindshmërisë (natalitetit) dhe mbështetjes për çdo fëmijë të porsalindur dhe prindërit e tij, respektivisht rritjen e mbështetjes së njëhershme  financiare për fëmijën e parë dhe të dytë si dhe ndihmën e njëhershme financiare për fëmijën e tretë e kështu me radhë.

Po ashtu, në këtë drejtim do të sigurojmë mbështetje financiare për nënat që janë kthyer pas përfundimit të pushimit të lehonisë, procedurë in vitro me mundësi që çdo grua të marrë deri në 6 inseminime falas, Shtëpi për të rinjtë – bli shtëpi për të rinjtë, mbështetje për kompanitë që do punësojnë nëna me tre ose më shumë fëmijë dhe Programin "Mirë se erdhët në shtëpi” për mbështetjen e personave që do të kthehen nga jashtë vendit dhe stimulimin e qëndrimit të tyre në këtu, pra parandalimin e “ikjes së trurit”.

Kujdesin për të rinjtë e konfirmojmë duke vendosur disa synime strategjike, si: Rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje në nivel lokal dhe qendror, Puna Rinore përmes hartimit dhe miratimit të Ligjit për punë rinore dhe rritjes së numrit të shërbimeve të hapura për të rinjtë nëpër komuna, mbështetje për të rinjtë e talentuar, mbështetje për të rinjtë në fushën e punësimit të tyre, dhe angazhim në drejtim të zbatimit të plotë të Ligjit për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore.

Le t’i mbajmë të rinjtë në shtëpi, t’i mbështesim familjet tona, të sigurojmë një pleqëri dinjitoze për qytetarët më të moshuar dhe të sigurojmë mbështetje për shtresat e rrezikuara, në mënyrë që ndihma të arrijë atje ku është realisht e nevojshme.

Krejt në fund, më duhet të them se ne po vazhdojmë të përkushtuar 100% për të gjithë qytetarët!

Ju faleminderit!

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.