29.10.2024
Vellkovski: Sfidat me të cilat përballet familja bashkëkohore janë komplekse dhe kërkojnë një qasje holistike
Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, foli në Konferencën ndërkombëtare me temë: “Sfidat e familjeve bashkëkohore”, organizuar nga Instituti për Studime Familjare pranë Fakultetit Filozofik, i cili këtë vit feston 10 vjetorin e themelimit.
Zëvendësministri Velkovski në fjalën e tij theksoi nevojën për qasje proaktive në trajtimin e familjes. Ai theksoi se Qeveria tregon një vullnet të fortë politik për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me familjen, demografinë dhe rininë, veçanërisht në kontekstin e migrimit, globalizimit dhe ndryshimeve sociale.
Velkovski theksoi se paqëndrueshmëria ekonomike, rritja e kostove të jetesës dhe kushtet e paqëndrueshme të tregut të punës janë vetëm një pjesë e sfidave me të cilat përballen familjet moderne.
“Detyra jonë si institucione është të ofrojmë kushte për mbështetje ekonomike, kushte fleksibile pune dhe qasje në të drejtat sociale për prindërit”, shtoi Vellkovski.
Në kuadër të ndryshimeve në strukturën tradicionale të familjes, Velkovski informoi se Qeveria ka marrë përgjegjësinë për hartimin e ligjit të ri për familjen, i cili do të pasqyrojë trendet moderne dhe do të theksojë të drejtat dhe obligimet e të dy prindërve në interes të fëmijëve.
Në lidhje me digjitalizimin dhe ndikimin e tij në ndërveprimin familjar, Velkovski tha: “Duhet të përpiqemi të ruajmë vlerat tradicionale familjare, të cilat janë themeli i shoqërisë sonë”.
Duke iu referuar edhe shëndetit mendor, ai nënvizoi se stresi, depresioni dhe ankthi janë gjithnjë e më të shpeshta dhe ne si institucione kemi obligim të ofrojmë mbështetjen e duhur dhe aksesin në ndihmë profesionale për familjet.
“Sfidat me të cilat përballet familja bashkëkohore janë komplekse dhe kërkojnë një qasje holistike. Me përforcimin ekonomik të familjeve, rritjen e parandalimit social dhe zgjerimin e shërbimeve në komunitet, si dhe përmirësimin e kompetencave të profesionistëve për mbështetje psiko-sociale, ne mund të krijojmë një shoqëri në të cilën çdo familje do të ketë kushtet për të përparuar dhe për të kontribuar për një komb të shëndetshëm dhe të begatë”, përfundoi zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.